Ndërroi jetë Akademik Pajazit Nushi
Dje në orët e pasdites, u nda nga jeta një nga figurat më të spikatura në fushën e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare, doktori i parë i shkencave psikologjike në Kosovë, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe nënkryetari i saj, akademik Pajazit Nushi.
Akademik Pajazit Nushi lindi në Gjakovë në vitin 1933, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. U diplomua në Degën e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit në vitin 1955, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës nga fusha e shkencave psikologjike.
Në akademinë e Shkencave ishte sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore, drejtoi revistën “Studime Shoqërore” ndërkohë që botoi shumë vepra, studime në disa fusha të shkencave psikologjike.
Akademiku i ndjerë Nushi, sapo ka botuar veprën kapitale “Leksikoni i psikologjisë” në dy vëllime. Për punën e tij shkencore dhe angazhimin shoqëror dhe kombëtar, doktori i shknecave, Pajazit Nushi, mori shumë mirënjohje dhe dekorata. Vdekja e tij është një humbje e madhe për familjen, Akademinë dhe shkencën, dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi.
Organizohet ceremonia mortore
Me rastin e vdekjes së intelektualit, akademikut, dijetarit dhe veprimtarit të shquar Prof. Dr. Pajazit Nushi, në patronatin e Kryetares Mimoza Kusari-Lila sot në Gjakovë organizohet ceremonia mortore.
Fillimisht në ora 14 në Pallatin e Kultures “Asim Vokshi” mbahët mbledhje komemorative ndërkohë që një gjysëm ore më vonë përkatësisht në ora 14 e 30 në foajenë e pallatit të Kulturës organizohen homazhet dhe nderimet.
Cermonia e varrimit bëhët në ora 17 në Varrezat e Qytetit të Gjakovës. Mbledhja komemorative si dhe homazhe për akademikun e shquar Pajazit Nushi, sot, janë organizuar edhe në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Telegrame ngushllimi
Me rastin e vdekjës së Akademik Pajazit Nushit, telegrame ngushllimi kanë derguar përsonalitete të larta të shkencës, politikës dhe kultures shqiptare.
Në telegramin e ngushllimit dërguar në emër të banorëve të vendlindjës së tij, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ndër të tjera ka shkruar: “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për largimin nga kjo jetë të intelektualit, akademikut, dijetarit dhe veprimtarit të shquar Prof. Dr. Pajazit Nushi.
Gjakova, Kosova dhe kombi shqiptarë u ndanë nga njeriu i dijes dhe i pendës, nga profesori dhe njeriu i urtë dhe i guximshëm i historisë tonë të re. Me vdekjen e tij qytetarët e Komunës së Gjakovës humbën emblemën e mburrjes, paqes dhe të dijes.
Një vit më parë, Komuna e Gjakovës e nderoi Akademikun e nderuar me titullin “Gjakovar i Ndritur”, ashtu sikur akademiku gjithmonë ndriqoi emrin e Qytetit, Shtetit dhe kombit që përfaqësoi” thuhët ndër të tjera në telegramin e kryetares, Kusari-Lila.