Kusari-Lila: Po punohet per nje organizim sa më dinjitoz per Kampionatit Individual Evropian të Shahut
Kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila, ka pritur, te merkuren, një delegacion nga Federata kosovare e Shahut, i prirë nga kryetari i kësaj federate, Nysret Avdiu. Ne kete takim te rregullt pune, te Komunes se Gjakovës dhe Federates se Shahut te Kosovës, si bashkorganizatorë të kampionatit Individual Evropian të Shahut, që mbahet prej 11 deri me 24 maj në Gjakovë është diskutuar për angazhimin e përbashkët të tyre, me të vetmin qëllim, që organizimi i kampionatit të jetë sa më dinjitoz dhe Kosova e Gjakova ta lënë një përshtypje të mirë tek pjesëmarrësit që do të vijnë nga e tërë Evropa. Kryetarja Kusari- Lila e ka njoftuar mysafirin me punën konkrete që Gjakova është duke e bërë në këtë drejtim, me theks të veçantë në krijimin e kushteve për zhvillimin e ndeshjeve kampionale por edhe akomodimin e të gjithë pjesëmarrësve. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se është në bisedime të vazhdueshme me përfaqësuesit e disa prej bizneseve më të mëdha kosovare, me qëllim që përmes tyre të sigurojë fonde shtesë për organizimin e këtij evenimenti sportiv të karakterit evropian. E përveç suksesit në aspektin sportiv dhe politik, kryetarja Kusari – Lila ka thënë se pret që komuna e Gjakovës të ketë edhe përfitime ekonomike, për faktin se gjatë ditëve të zhvillimit të kampionatit, numri i vizitorëve në komunën tonë pritet të jetë shumë i madh.










