.
Published On: Sat, Jun 4th, 2016

Përmbyllet Java Olimpike në Gjakovë

Share This
Tags

Me frymën olimpike dhe dashurinë për sportin, në Gjakovë u përmbyll Java Olimpike. Në një atmosferë tërësisht festive të krijuar nga qindra fëmijë të shkollave fillore të komunës së Gjakovës, është përmbyllur aktiviteti që për 5 ditë me radhë solli në Gjakovë frymën e sportit dhe promovimin e shëndetit të mirë. Manifestimi përmbyllës i Javës Olimpike që u bashkëorganizua nga komuna e Gjakovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, u zhvilluar në parkun “Ali Podrimja”, ndërsa morën pjesë edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani si dhe mysafirja special, kampionia dhe krenaria e Kosovës, xhudistja Majlinda Kelmendi, bashkë me trajnerin e saj Driton Kuka. Duke folur para fëmijëve të mbledhur, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, i ka përgëzuar ata për pjesëmarrjen në aktivitetet sportive të organizuara gjatë Javës Olimpike, ndërsa ka premtuar se komuna do të organizojë edhe aktivitete tjera të kësaj natyre. “Ju jeni e ardhmja jonë, jeni kampionët e ardhshëm që do ta përfaqësoni Gjakovën dhe Kosovën”, ka

thënë mes tjerash kryetarja Kusari -Lila. Edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani, i ka përgëzuar fëmijët e shkollave fillore të Gjakovës për organizimin dhe pjesëmarrjen në Javën Olimpike. Ai ka thënë se Gjakova duke e organizuar për herë të parë Javën Olimpike, u bë shembull dhe e dëshmoi dashurinë dhe talentin që e ka për sportin. Nga ana tjetër, kampionia Majlinda Kelmendi tha se po ndihet e befasuar për të mirë me entuziazmin e nxënësve gjakovarë për sportin dhe për pjesëmarrjen e suksesshme në garat e organizuara gjatë Javës Olimpike. Ajo shtoi se ngjarje të tilla e motivojnë edhe atë në rrugën drejtë sukseseve të reja. “Unë mund të jem frymëzim për shumë prej jush. Por, mos harroni se të jgithë ju jeni frymëzimi im dhe kjo që e pashë sot në Gjakovë do të më motivojë shumë në aktivitetin tim”, ka thënë Kelemendi. Ndryshe, në këtë aktivitet që ishte i fundit për edicionin e parë të Javës Olimpike, u prezantuan edhe disa pika të gjimnastikës, nga nxënësit e shkollave “Mazllum Këpuska” dhe “Fehmi Agani”.