Përfundon viti shkollor
Filloristët gjakovarë sot ( te premten) përfundojnë vitin shkollor. Sot është dita e fundit e mësimit dhe kjo ditë për ta po kalon me “ethet” e notave në ditar përkatësisht suksesit në mësime. Ata nxënës që gjatë gjithë vitit kanë mësuar në mënyrë kontinuele sot janë më të qetë dhe në pushimet verore shkojnë të relaksuar, ndërkohë që për ata nxënës që nuk u angazhuan sa duhet gjatë gjithë vitit shkollor, mbetet që këto ditë vere ti shfrytëzojnë për të kompensuar dijen për vitin e shkuar shkollor. Komunikimi i rezultateve pritet të bëhet gjatë ditëve të ardhshme dhe secila shkollë ka vënë orarin e mbledhjeve tradicionale me prindër ku i bëhet një vështrim vitit shkollor.
Në anën tjetër sot ( te premten) shkollat e mesme të Gjakovës kanë qenë të frekuentuara nga nxënësit që kanë përfunduar shkollimin fillor dhe nga shtatori vazhdojnë mësimet në shkollimin e mesëm. Aty janë publikuar listat me emrat e nxënësve të regjistruar në drejtime dhe profesione përkatëse. Këtë vit hetohet një interesim më i madh për shkollat profesionale, ndërkohë që gjimnazi duket të jetë më atraktivi. Në shkollën e mesme ekonomike Kadri Kusari sivjet janë hapur edhe dy pilot drejtime të reja, Teknologji e prodhimit bujqësorë dhe teknologji e përpunimit ushqimor.










