.
Published On: Sat, Jul 30th, 2016

Përmbaruesit kanë tërhequr rreth 500 mijë euro nga buxheti i komunës së Gjakovës

Share This
Tags

Për shkak të borxheve të trashëguara nga ish – qeverisja, përmbaruesit kosovarë kanë tërhequr njëanshëm rreth 500 mijë euro nga buxheti i komunës së Gjakovës vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, me një trend të rritjes së vazhdueshme të kësaj dukurie. Kjo është bërë e ditur nga drejtori komunal për Buxhet dhe Financa Teki Shala, i cili dje ka raportuar para bordit të drejtorëve në lidhje me pasqyrën financiare për gjysmën e parë të vitit 2016. Sipas drejtorit Shala, një trend i tillë është në rritje, pasi vetëm gjatë muajit të fundit janë në procedurë të tërheqjes së njëanshme edhe të 200 mijë euro tjera, gjë që deri me tani e përgjithëson shumën në rreth 700 mijë euro. Në këtë raport, drejtori Shala ka dhënë edhe lajme të mira në aspektin financiar, siç është rritja e inkasimit të të hyrave, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është më e madhe për rreth 29 për qind. Sipas tij, gjatë periudhës janar – qershor 2016, është realizuar 98 për qind e planifikimit të të hyrave. Ndikim pozitiv në këtë realizim kanë pasur të hyrat nga tatimi në pronë, segment i cili ka pasur rritje gjatë kësaj periudhe kohore. Komuna e Gjakovës ka pasur rezultate të kënaqshme edhe në shpenzimin e buxhetit të

paracaktuar, pasi gjatë periudhës 6 mujore ka shpenzuar 102 për qind të buxhetit, ka njoftuar Zyra per Informim e Kuvendit komunal.