Koncert humanitar në Vatikan me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezës
Krijuesit dhe sportistët me origjinë nga Gjakova: sopranoja Inva Mula, violinisti i shquar Shkelzen Doli dhe futbollisti Lorik Cana do të jenë pjesë e koncertit të madh humanitar të Vatikanit që do të prezantohet me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë . Në fakt një koncert 90-minutash, që do të mbahet më 3 shtator në qytetin italian, me këte rast do të bëjë bashkë emrat më të mëdhenj shqiptarë që po lënë gjurmë nëpër botë. Mes tyre sopranot e mirënjohura Inva Mula e Ermonela Jaho dhe këngëtarja kosovare me nam botëror Rita Ora. Pjesë e koncertit që do të dërgojë në Romë edhe orkestrën simfonike të Filarmonisë së Kosovës janë edhe tenorët Saimir Pirgu e Ramë Lahaj dhe artistë të tjerë, përfshirë Shkëlzen Dolin e Gëzim Myshketën. Programi artistik është ideuar asisoj që pjesë e tij të bëhen edhe sportistët, përfshirë xhudisten Majlinda Kelmendi dhe futbollistin Lorik Cana. Loriku do të ngjitet në skenë për të recituar poezinë “Dua të kthehem në Shqipëri” të shkruar nga Nënë Tereza. Vargje të saja do të recitohen edhe nga dy aktorët e rinj kosovarë, Andi Bajgora e Lumë Veseli – të cilët sivjet përfaqësuan vendin edhe në ceremoninë ‘Oscars’ si protagonistë të filmit të shkurtër ‘Shok – dhe Ipeshkvi i Kosovës, dom Lush Gjergji.