Gjokaj: Eshtë zvogëluar dukshëm numri i incidenteve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar
Ardhja në vendlindje e bashkatdhetarëve tanë të cilët punojnë jashtë atdheut, ka rritur dukshëm gjallërinë, ndërkohë që është shtuar në masë të madhe edhe numri i automjeteve në qarkullim duke e vështirësuar qarkullimin normal të trafikut nëpër rrugët e ngushta të qytetit. Në këtë drejtim, në Stacionin e Policisë në Gjakovë, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Policisë, janë duke bërë përpjekje maksimale për të krijuar kushte të favorshme për të gjithë banorët e saj. Duke folur për situatën e sigurisë në territorin e komunës së Gjakovës si dhe rezultatet e arritura në këtë drejtim, gjatë gjysmës së parë të këtij viti, kapiten Krist Gjokaj, komandant i Stacionit të Policisë në Gjakovë, për Radio Gjakovën ka thënë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është zvogëluar dukshëm numri i incidenteve të të gjitha llojeve.
Kur është fjala numri i policëve në Stacionin e Policisë në Gjakovë, komandanti Gjokaj, ka veçuar ardhjen e 45 zyrtarëve të rinj policor, gjë e cila sipas tij ka ndikuar dukshëm në rritjen e numrin të patrullimeve si dhe të ndriçimit të rasteve.
Marrë në tërësi gjatë muajit janar-qershor të këtij viti, nga gjithësejt 166 incidente të raportuara në Stacionin e Policisë në Gjakovë, janë ndriçuar 126 raste apo shprehur në përqindje 75.9 përqind.










