Në Gjakovë tri raste të sëmundjes gungore të gjedheve
Përhapet me të madhe sëmundja Gungore e Lëkurës së Gjedhit në Kosovë, e cila po klasifikohet si sëmundje socio-ekonomike, e cila nuk është e rrezikshme për njerëzit. 93 ferma tashmë janë të prekura nga ky virus, derisa 20 kafshë në nivel vendi kanë ngordhur nga kjo sëmundje. Në komunën e Gjakovës janë regjistruar tri raste të sëmundjes gungore të gjedheve. Situatën e përhapjes së kësaj sëmundje nga afër, duke raportuar në Agjencinë e Veterinës së Kosovës, po e ndjek Inspektorati komunal. Inspektori i veterinës Milot Bejtullahu thotë se rreziku më i madh është tek fermat e gjedheve ndërkohë që nuk paraqet rrezik për përhapje tek njerëzit.
Ndryshe për shfaqjen e sëmundjes gungore të lëkurës tek gjedhet edhe në Kosovë, siç ka ndodhur edhe në shtetet e tjera të rajonit, u bisedua edhe në Ministrinë e Bujqësisë ku eshte shprehur shqetësimi për rastet në rritje dhe u kërkua nga institucionet kompetente që të ndërmerren hapa konkret. Palët u pajtuan që sa i përket kësaj çështje të vazhdojnë koordinimin për hapat e mëtutjeshëm që duhen ndërmarrë, në veçanti për realizimin e vaksinimit masiv të gjedheve në gjithë territorin e vendit, për të parandaluar përhapjen e mëtejme të kësaj sëmundje.










