Kushtet klimatike dhe tregu i sigurt ka inkurajuar prodhuesit për kultivimin e mjedrës
Rritja e prodhimtarisë bujqësore tek ne, posaçërisht e atyre kulturave që japin rendimente dhe krijojnë fitime, mbetet prioritet, sepse garanton një zhvillim ekonomik e me këtë edhe një mirëqenie më të mirë. Kultura e mjedrës konsiderohet si një nga storiet më të mëdha të suksesit ekonomik në Kosovë, ndërsa sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë nga 400 hektarë sa ishin vitin e kaluar, këtë vit kanë arritur në mbi 1 mijë hektarë duke u rritur edhe prodhimtaria e mjedrës, ku sivjet pritet të arrijë në 5 mijë ton në nivel vendi, vlerësojnë në Ministrinë e Bujqësisë. Kosova mund bëhet një furnizues i shkallës së parë i mjedrave të freskëta dhe të përpunuara jo vetëm për tregun vendor, por edhe për atë të huaj. Vetëm në komunën e Gjakovës me mjedër janë të mbjellur 12 hektarë. Drejtoria Komunale e Bujqësisë, duke vlerësuar kushtet e përshtatshme për kultivimin e mjedrës, tregun e sigurt për shitje dhe çmimin e leverdishëm gjithnjë ka inkurajuar prodhuesit gjakovarë që të merren me kultivimin e saj.
Bekim Ermeni drejtor i Bujqësisë në Gjakovë thotë se komuna ka mbështetur kultivimin e 5 hektarëve me mjedër dhe se kjo mbështetje do të vazhdoi edhe më tutje krahas asaj të Ministrisë së Bujqësisë. Përfitimet me këtë kulturë janë të jashtëzakonshme dhe kjo është edhe arsyeja që ministria e ka vënë në prioritetet kryesore dhe vetëm gjatë këtij viti për pemët manore, ku bën pjesë edhe mjedra kanë ndarë mbi 4 milionë euro për ngritje të sipërfaqeve të reja, për avancim të atyre ekzistuese, për rritje të kapaciteteve të deponimit dhe përpunimit, e po ashtu edhe për subvencionim për pemishtet ekzistuese.
Ndryshe kultivuesit e mjedrës në Kosovë, nga dita e enjte, kanë filluar promovimin e prodhimeve të tyre në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë, ku krahas kësaj ata e kanë edhe mundësinë e shitjes së drejtpërdrejtë të prodhimeve të tyre.










