Rinia me punë vullnetare ndihmon në rregullimin e parkut të qytetit
Parku kryesor në qendër të qytetit po merr një pamje më ndryshe. Komuna e Gjakovës në bashkëpunim me vullnetarët e organizatave Rinore lokale kanë ndërmarrë një iniciativë për pastrimin dhe rregullimin e parkut të qytetit, duke ofruar kështu një pamje më të mirë të këtij parku. Fillimisht është rregulluar kroi në mes të parkut, ndërsa gjithashtu edhe janë lyer të gjitha ulëset nëpër pjesë të ndryshme të parkut. Në të njëjtën kohë, me intensitet të shtuar është duke u punuar edhe në ndërtimin e fontanës së re, këndit të ri të lojërave, por edhe rregullimin e ndriçimit dhe gjelbërimit të parkut. Bazuar në përvojën e deritashme kur hapësirat gjelbëruese të këtij parku janë dëmtuar, vullnetaret kanë vënë pano me mbishkrime ku tërhiqet vëmendja për një kujdes për mirëmbajtjen e tyre. Në të njëjtën kohë është duke u punuar edhe në restaurimin e shtatores së Nënë Terezës dhe renovimin e ambientit rreth kësaj shtatoreje. Aktualisht është duke u punuar në rregullimin e platosë para dhe rreth shtatores si dhe është duke u bërë rregullimi e pastrimi i ambientit për rreth dhe vendosja e ndriçimit . Një aksion i tillë i cili kryesisht po bëhet në baza vullnetare është ndërmarrë me qëllimin më të mirë që të bëhet vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtjen dhe rregullimin e më tejmë të parkut të qytetit. Ndryshe, rregullimi i shtatores së Nënë Terezës dhe ambientit për rreth kësaj shtatoreje po bëhet në prag të festës së madhe të shenjtërimit të Nënës Terezë me datë 5 shator, ditë kur pritet që në një ceremoni madhështore edhe të bëhet inaugurimi i këtyre punimeve.