.
Published On: Fri, Aug 26th, 2016

Rindërtohet biblioteka në xhaminë e Hadumit dhe Medreseja e Vogël

Share This
Tags

Gjakova njihet për numrin e madh të monumenteve të rëndësishme kulturore e historike. Mes tyre është edhe Biblioteka e Xhamisë së Hadumit që ishte djegur nga forcat kriminale serbe gjatë luftës së fundit. Ndërtimi i objektit të bibliotekës në xhaminë e Hadumit është në fazën përfundimtare dhe së shpejti ky objekt i trashëgimisë kulturore e fetare të Gjakovës pritet të hyjë në funksion të qytetarëve. Po ashtu po punohet edhe në ndërtimin e objektit të Medresës së vogël. Të dy këto objekte po ndërtohen me ndihmën e Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë. Kryetari i Bashkësisë Islame të Gjakovës Ahmet Hoxha, tha se me këto dy objekte Gjakovës po i kthehen një pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë së saj kulturore e fetare. Biblioteka e xhamisë së Hadumit ishte djegur gjatë luftës së fundit, me këtë rast ishte djegur edhe i gjithë materiali që ka qenë brenda saj. Me djegien e saj kishin humbur një numër i konsiderueshëm i librave në mesin e të cilëve dhe botime unikate për historinë e qytetit të Gjakovës. Kjo sipas kryetarit të Bashkësisë Islame, Ahmet Hoxha, ka qenë dëmi më i madh që i është bërë jo vetëm Bashkësisë Islame, por të gjithë trashëgimisë kulturore e fetare të Gjakovës. Bashkë me Bibliotekën po punohet që të kthehet edhe Medreseja e Vogël, aty ku ishin edukuar breza jo vetëm nga Gjakova. Objekti që ishte ndërtuar ndërmjet viteve 1816-1817, ka vite që ishte shkatërruar tërësisht.