Në implementim projekti për furnizimi me ujë të pijshëm për 35 fshatra të Gjakovës
Sot në Gjakovë është bërë nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunës së Gjakovës dhe Organizatës “Community Development Initiative”, përkatësisht CDI-së për vazhdimin e programit “Furnizim me Ujë të Pijshëm dhe Kanalizim në Zonat Rurale”, për 35 fshatra në katër rajone të komunës së Gjakovës, 24 prej të cilëve vetëm në rajonin e Rekës së Keqe dhe Lugut të Carragojës, rajon i cili tradicionalisht ka vuajtur nga mungesa e ujit të pijes. Ky projekt financohet në shumicë nga qeveria zvicerane dhe një pjesë nga qeveria e Kosovës. Projekti në tërësi ka kushtuar 1 milion e 715 mijë e 264 euro, prej të cilave, Konzorciumi Dorch-CDI ka participuar me 1 milion e 268 mijë e 214 euro, ndërsa komuna e Gjakovës me 447 mijë e 50 euro. Ndërkohë që kjo e fundit ka siguruar edhe një fond shtesë prej 1 milion e 573 mijë e 400 euro.
Në fjalën e saj, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila ka sjell hollësi lidhur me projektin në fjalë i cili është në implementim e sipër duke veçuar faktin se me përfundimin e tij furnizimi me ujë të pijshëm në komunën e Gjakovës do të jetë 100 përqind.
Në anën tjetër përfaqësuesi i CDI-së Alan Brown ka thënë se qëllimi i organizatës që ai përfaqëson është përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm në tërë Kosovën.
Në ceremoninë e organizuar sot me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunës së Gjakovës dhe Organizatës CDI, janë prezantuar edhe projektet tjera të furnizimit me ujë të pijes, të cilat komuna e Gjakovës i ka realizuar deri me tash.