Manifestim ne Gjakovë me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës
Me rastin e Shenjtërimit të Nënës Terezë, komuna e Gjakovës, nën patronatin e kryetares së Komunës, Mimoza Kusari – Lila, të hënën do të organizoj një manifestim kulturor, në të cilën do të mbahet një koncert me këngë korale, si dhe do të flitet për humanisten më të njohur në botë. Sipas zëdhënëses së komunës, Abetare Domi, me këtë rast për organizim të këtij manifestimi, komuna ka bashkëpunuar edhe me Kishin katolike në Gjakovë.
Për këtë qëllim komuna e Gjakovës në ditët e fundit, për nder të humanistes shqiptare, ka rregulluar ambientin përreth shtatores në parkun e qytetit. Është rregulluar bazamenti i shtatores së Nënës Terezë, si dhe platoja me hapësirat e gjelbërimit.
Ndryshe ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të bëhet të dielën më 4 shtator, dhe do të mbahet në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të jetë eventi kryesor i Viti Jubilar të Mëshirës në Vatikan. Data 4 shtator do të shënohet në Kalendarin Apostolik si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.