Në Gjakovë u mbajtë manifestim kulturor për shenjtërimin e Nënës Terezë
Gjakova sot ka shenuar shenjtërimin e bijës shqiptare, mbesës së Gjakovës, të pavdekshmes Nënë Tereza. Program i përgaditur enkas për këte qëllim ka nisë me këngën “Dashuri është Jeta” – intepretuar nga Kori i Kishes, ndërkohë që fjalën e rastit, Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për të shenjtën Nënë Tereza, për bijën e tokës sonë si një nënë e madhe e gjithëbotës e cila me zemërgjerësinë dhe humanitetin e saj ju shërbeu të varfërve dhe të gjithë atyre në nevojë. Ndër të tjera ajo theksoi: “Dje, e gjithë bota kishte sytë, veshët dhe mendjet nga kryeqendra e botës së krishterë, nga Selia e Shenjtë ku një nënë e madhe, një misionare, humaniste, një nobeliste, një shembull i dashurisë dhe paqes, me bekimin e Papa Françeskut u shëndërrua në të shenjtë”.
Kryetarja u shpreh që kjo ka një domethënie të madhe për kombin tonë dhe për Gjakovën ngase nga një mbesë e Gjakovës, me zemërgjerësinë dhe humanitetin e saj, përmendet në tërë botës. Më tutje, ajo ka përmendur disa nga thëniet më të bukura të Nënës Terezë, duke përmbyllur se çdo fjalë e jona për tëështë shumë e pakët dhe se ne sot po bëjmë diçka të vogël por me dashuri shumë të madhe.
Në këtë manifestim, Udhëheqësi i Kishës Katolike në Gjakovë, Pater Ndue Kajtazi, ndër të tjera ka sjellë pjesë të biografisë të Nënës Terezë, duke theksuar se si një bijë me gjak Shqiptari, ajo asnjëherë nuk e mohoi origjinën e saj dhe se emrin e saj u munduan çdo komb ta përvetësoj. Ai më tutje ka shprehur që Nënë Tereza kishte zemër të madhe dhe roli i saj ka zënë vend në histori duke na bërë të gjithë neve që të ndjekim rolin dhe shembullin e saj për dashuri për njëri tjetrin.
Kurse, profesor Ruzhdi Sefa ka mbajtur një fjalë rasti në emër të shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë. Ai ka folur për rolin historik që ka dhënë Nënë Tereza për kombin shqiptar, duke theksuar takimin me presidentin Bill Clinton dhe kërkesën drejtuar atij për ndihmë popullit shqiptar të Kosovës, gjatë luftës së vitit 1999. Aktiviteti i sotëm në Gjakovë, për nderë të shenjtërimit të nobelistës shqipëtare, Nëna Terezë, i cili është mbajtur në ambientë të hapur të posarregulluar, para shtatorës së saj në parkun qendor të qytetit në Gjakovë, është shoqëruar me pika të përzgjedhura artistike.