.
Published On: Fri, May 12th, 2017

Mbahet konferenca “Fuqizo gratë, tani!”

Share This
Tags

“Fuqizo gratë, tani!” ishte tema e konferencës dy ditore që u mbajt në Gjakovë organizuar nga Medica Gjakova dhe Medica Mondiale, mbështetur nga Ambasada e Austrisë në Kosovë.

Me këtë rast u tha se ky aktivitet synon të krijojë bazën për bashkëpunim aktiv në mes të OJQ-ve për të drejta të grave, për të këmbyer ekspertizën rajonale dhe përkrahjen në implementimin me kohë dhe me bazë të balancuar gjinore të skemës transformuese të pensioneve për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë.

Konferncën e hapi ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila është edhe nismëtare e përkrahjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo në fjalën e saj tha se fuqizimi i gruas në Kosovë duhet të jetë prioritet i përhershëm në axhendën institucionale dhe qëllim i gjithë shoqërisë sonë. Andaj konferencat si kjo shërbejnë si këmbanë e kësaj kauze.

Ndërsa kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, duke marrë fjalën në këtë konferencë, theksoi se Gjakova si më e dëmtuara gjatë luftës edhe në këtë aspekt ka dominuar me numrin e viktimave të mbijetuara nga dhuna seksuale.

Ajo që e karakterizon këtë vend është fakti qe shumë gra që kanë kaluar nëpër këtë ferr kanë qëndruar të forta dhe kanë mbijetuar, disa me mbajtje të familjes e disa me mbijetesë.

Ndërkaq Monika Hauser, anëtare e bordit ekzekutiv te Medika Mondiale, ka folur për punën në ndihmë grave të mbijetuara jo vetëm në Kosovë, duke ofruar përvojat nga Bosnja. Hasuser tha se kjo nuk do të ishte e mundur pa pasur mbështetjen e institucioneve komunale dhe individëve si dhe kolegëve të Medika Zenica të cilat erdhën për të bartur përvojat e tyre.

Sipas Hauser ishte një kohë shumë e vështirë. “Jam shumë e kënaqur që sot pas shumë viteve po shoh ekipin e Medika Gjakovës që po punon ende në këtë fushë”, tha ajo.

Në ditën e parë të konferencës është prezantuar edhe Gernot Pfandler, ambasador i Austrisë dhe Christina Gehlsen, zv.ambasadore e Gjermanisë.

Sipas drejtoreshës së Medika Gjakova, Linda Sada, kjo konferencë ka arritur t’i tejkaloj objektivat e saj që janë synuar.