Hapet ekspozita e pronave në Gjakovë
Në Kuvendin e Komunës është hapur ekspozita që ka të bëjë me vlerësimin preliminar të tokës në komunën e Gjakovës. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur një muaj, ndërsa qytetarët mund të shohin rezultatin e vlerësimit preliminar dhe se si është bërë.
Gjithashtu do të mund të njoftohen për vlerën preliminare të tokës së tyre, si është kategorizuar parcela dhe shumë informata të tjera, për të cilat do të kujdesen zyrtarët e komunës, përkatësisht nga zyra e tatimit në pronë.
Ky projekt i cili po përkrahet nga qeveria e Suedisë, po bëhet për arsye se toka do të tatohet në të ardhmen.
Agron Thaqi nga Departamenti i Tatimit në Pronë në kuadër të Ministrisë së Financave i cili morri pjesë në hapje të kësaj ekspozite njoftuese, tha se presin që me rastin e implementimit të saj, që të krijohen mundësi më të mëdha për komunat në realizimin e projekteve të tyre.
Ai shtoi se edhe qytetarët do të japin kontributin e tyre duke shpresuar se nuk do të mungojë pjesëmarrja e tyre në këtë ekspozitë.
Janë disa kategori të pronave që do të vlerësohen, si ato bujqësore, pyjore, rezidenciale e komerciale. Me këtë rast qytetarët, përveç se mund të njoftohen lidhur me vlerën e parcelave të tyre, mund të japin edhe mendime e vërejtje rreth rezultateve preliminare të vlerësimit dhe nëse komentet e tyre do të jenë të argumentuara do të ndikojnë në ndryshim të vlerësimit përfundimtar.