.
Published On: Tue, Jun 13th, 2017

Hapet Panairi i Malësisë

Share This
Tags

Në Gjakovë, përkatësisht në Lomën e Drithit, po mbahet Panairi i Malësisë, ku janë ekspozuar ushqime dhe punime të artizaneve të rajonit të Malësisë dhe Gjakovës.

Ky aktivitet është organizuar nga Komuna e Gjakovës, ndërsa ka për qëllim të promovojë turizmin, vlerat e trashëgimisë kulturore, diversitetin dhe integrimin në mes të komuniteteve të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë.

Silavana Domi, drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik, tha se pjesëmarrës në këtë panair janë prezantuesit e turizimit, të trashëgimisë dhe kulturore, të artizanatëve dhe gatimeve tradicionale nga Malësia e Gjakovës. Ajo shpreson që synimet e këtij panairi, që organizohet për herë të pare, të përmbushen.

Në këtë organizim me produktet e tyre, si artizanale dhe ushqimore po prezantohen rreth 40 pjesëmarrës, nga Kosova dhe nga zonat e Tropojës e Hasit të Shqipërisë.

Njëra nga ato ishte edhe Xhemile Imeraj nga qyteti Bajram Curri. Imeraj, merret me punimin e veshjeve popullore të rajonit të Tropojes, ndërsa tha se po merr pjesë në këtë panair me synimin për të zgjeruar tregun edhe në Kosovë. Ajo tha se këto veshje janë të përhapura shumë në rajonin e Tropojës.

Gjatë këtij panairi, shitësve dhe blerësve do t’iu mundësohet lidhja e kontratave me çmime promocionale me qëllim të krijimit të një strukture dhe oferte të përbashkët turistike, duke ruajtuar dhe promovuar traditën shqiptare të Malësisë së Gjakovës./radiogjakova/