.
Published On: Wed, Jun 14th, 2017

Gjakova feston Ditën e Çlirimit

Share This
Tags

Gjakova shënon 14 Qershorin – Ditën e çlirimit. Është një ditë e madhe për popullin e komunës së Gjakovës që gjatë luftës së fundit në Kosovë dha kontribut të pazëvendësueshëm në lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Gjakova e pagoi shumë shtrenjtë këtë liri me një numër të madh të të vrarëve, të plagosurve, të zhdukurve e të burgosurve. Kriminelët serbë shkaktuan dëme të mëdha duke djegur e shkatërruar shumë shtëpi e objekte të tjera ekonomike.

Në luftën e ‘99-ës, Çarshia e Vjetër u dogj tërësisht. Gjakova nga lufta doli tërësisht e shkatërruar nga dora kriminale serbe, pasojat e secilës luftë ndjehen edhe sot 18 vite më pas.

14 Qershori njëkohësisht është edhe një ngjarje e veçantë për të gjithë gjakovarët që përjetuan gëzimin e çlirimit me hyrjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të NATO-s.

Gjithë ata që përjetuan këtë moment nuk do ta harrojnë përjetë një lumturi aq të madhe që solli dita e parë e lirisë me 14 Qershor 1999. Gjakovarët u mblodhën në Parkun kryesor të qytetit duke i uruar njëri tjetrit lirinë.

E në këtë ditë Radio Gjakova ishte lajmëtarja e parë e lirisë në Kosovë që solli lajmin e Gjakovës së çliruar./radiogjakova/