.
Published On: Wed, Jul 12th, 2017

Fillojnë punimet për objektin e ri të Handikos-it

Share This
Tags

Të mërkurën u vu gurthemeli i objektit të ri për persona me aftësi të kufizuara në komunën e Gjakovës, që është donacioni i përbashkët i organizatës “Save dhe Children” dhe Komunës së Gjakovës.

Ky objekt po ndërtohet ne oborrin e kopshtit të fëmijëve “Ganimete Terbeshi”, afër ish-garazhës së autobusëve.

Në ceremoninë e gurthemelit ka marrë pjesë edhe kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila e cila tha se ky objekt është shumë i rëndësishëm për këtë pjesë të shoqërisë.

“Është një projekt i rëndësishëm dhe me ndjeshmëri të madhe për komunën e Gjakovës, pasi ne si komunë e kemi pasur planin për ndërtimin e këtij objekti qysh në vitin 2014, atëherë kur e patëm prezantuar edhe në konferencën e donatorëve. Tani kur edhe zyrtarisht po fillojmë ndërtimin e këtij objekti, jam tejet e lumtur sepse më në fund po e bëjmë realitet ëndrrën e këtyre njerëzve”, tha ajo.

Ndërtimi i objektit të Handikos-it do të kushtojë në tërësi 250 mijë euro. Komuna e Gjakovës në këtë projekt do të participojë me 49%, ndërsa pjesa tjetër prej 51% do të mbulohet nga organizata “Save dhe Children”.

Përfaqësuesja e kësaj organizate Rudina Ademi me rastin e ceremonisë së fillimit të punimeve tha se janë shumë të kënaqur që po vihet gurthemeli i qendrës me bazë në komunitet në komunën e Gjakovës.

Ndërsa, përfaqësuesja e Handikos-it në Gjakovë , Brilanta Ballata tha se po nisë jetësimi i një objekti të cilin e kanë pritur që një kohë të gjatë.

Punimet në ndërtimin e kësaj qendre do të zgjasin deri në fund të muajit shtator./radiogjakova/