Dhurata e ish-policit të EULEX-it, një zjarrfikëse për Gjakovën
Ish-polici holandez i EULEX-it, Wim Beeren, i cili vite më parë ka shërbyer në komunën e Gjakovës, ka arritur të sigurojë një zjarrfikëse që do t’i jepet dhuratë Brigadës së Zjarrfikësve të Gjakovës.
Ky mjet modern për fikjen e zjarrit është një dhuratë shumë e çmuar për zjarrfikësit gjakovarë dhe vjen si donacion nga zjarrfikësit e qytetit Limburg të Holandës.
Beeren, që ishte ndërmjetës i këtij donacioni, së bashku me miqtë e tij tashmë ka arritur të sigurojë edhe mjetet materiale të cilat nevojiten për ta sjellë atë në Gjakovë.
Sipas njoftimit të Komunës së Gjakovës, zjarrfikësja pritet të mbërrijë në Gjakovë në ditët e para të shtatorit dhe menjëherë do të jetë në shërbim të Brigadës së Zjarrfikësve të Gjakovës.
Ndryshe, ish-polici i EULEX-it, Wim Beeren, ka shërbyer për disa muaj në komunën e Gjakovës, me ç‘rast nga qyteti ynë ka ikur me mbresat më të mira për mikpritjen që ka hasur nga banorët vendas.
Atij veçanërisht i ka bërë përshtypje të madhe entuziazmi i zjarrfikësve gjakovarë të cilët edhe në mungesë të kushteve më elementare për punë kanë arritur të tregojnë suksese të mëdha në detyrat e tyre./radiogjakova/