Qentë endacakë shqetësojnë qytetarët
Qentë endacakë po vazhdojnë të jenë një nga shqetësimet e qytetarëve të komunës së Gjakovës. Qytetarët thonë se ndihen të rrezikuar nga prania e qenëve nëpër rrugët kryesore.
Hysen Delija, qytetar, tha se çdo ditë del për shëtitje në parkun kryesor të qytetit dhe çdo herë shikon tufë qensh që tmerrojnë qytetarët. Ai tha se këta ata mund të jenë të vaksinuar, por në të shumtën e rasteve po sulmojnë qytetarët.
Ndërkohë, Ibrahimi një tjetër qytetar e që po ashtu shëtit çdo ditë në parkun e qytetit, tha se nuk po kërkon që këta qenë të likuidohen fizikisht por që të dërgohen në ndonjë strehimore, në mënyrë që edhe qytetarët të ndihen më të sigurtë.
Në anën tjetër Komuna e Gjakovës në 2 vitet e fundit përmes angazhimit të kompanive gjegjëse ka trajtuar afro 700 qenë endacakë, që përfshin kastrimin dhe sterilizimin e tyre deri në një zgjidhje të përhershme që është ndërtimi i qendrave të strehimit për qentë.
Sipas zyrtarit të Drejtorisë për Shërbime Publike, Lekë Sina, shumica e qenve pas trajtimit janë kthyer në vendin e origjinës të cilët mund të shihen edhe nëpër rrugët e qytetit mirëpo nuk përbëjnë rrezik për njerëzit.
Megjithatë prania e tyre në rrugë po vazhdon dhe po shqetëson qytetarët. Përveç frikës nga kafshimi qentë endacak janë bërë rrezik edhe për bartjen e epidemive, si dhe ndotjes së ambientit.
Komuna për momentin nuk ka buxhet të mjaftueshëm për lidhjen e kontratës së re dhe po kërkon mundësinë buxhetore që të ndajë mjete për këtë qëllim./radiogjakova/