Kujtohen dëshmorët Elton Zherka dhe Përmet Vula
Në 19-vjetorin e rënies heroike në një përballje të afërt me forcat e mëdha serbe, përkujtojmë dëshmorët Elton Zherka dhe Përmet Vula, të cilët më 18 prill të vitit 1998, së bashku me 12 të rinj gjakovarë u nisën për në Junik, ku mobilizohen në radhët e UÇK-së.
Eltoni dhe Përmeti sistemohen në njësitin sulmues “Komando” që vepronte në Junik të Zonës Operative të Dukagjinit, nën komandën e eprorit të mirënjohur Bekim Berisha – Abeja, ku marrin pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan në këtë rajon kundër forcave okupatore serbe.
Më 9 gusht të vitit 1998, në vijën e frontit marrin pjesë në luftime të ashpra e të pandërprera që u zhvilluan në Junik. Në këto luftime u shquan Eltoni dhe Përmeti. Më 10, përkatësisht 11 gusht të vitit 1998, herët në mëngjes, forcat serbe ndërmarrin ofensivë të ashpër kundër istikameve të UÇK-së, duke granatuar pozicionet e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Trimat e lirisë i kundërpërgjigjen sulmit me të gjitha llojet e armëve në dispozicion, me ç’rast shkatërrojnë tri tanke të armikut. Në këto luftime shquhen Elton Zherka dhe Përmet Vula, luftëtarë të paepur të lirisë të cilët, të mbetur në rrethim, bien heroikisht në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë.
Ndërkohë që plagosën rëndë edhe dy luftëtarë të tjerë nga Gjakova, Yll Morina i cili ndërron jetë më vonë si pasojë e plagëve të marra si dhe Arbër Spahija.
Për kontributin e madh për lirinë e Kosovës, për trimërinë dhe sakrificën e tyre të skajshme, dy vite më parë Komuna e Gjakovës i nderoi luftëtarët e vijës së parë Elton Zherka dhe Përmet Vula me çmimin “Gjakovar i Ndritur”./radiogjakova/










