.
Published On: Tue, Sep 5th, 2017

Shërbimi i mamografisë, kirurgu anglez: Gjakova, model për Kosovë

Share This
Tags

Prej disa ditësh në Gjakovë po qëndron doktor John Philip, kirurg i specializuar në kancerin e gjirit. Si pjesë e rrjetit të rotarianëve ndërkombëtarë, ai erdhi për të vlerësuar shërbimin e mamografisë në Gjakovë që është mundësuar pikërisht nga “Rotary International”.

Në takimin me rotarianët e klubit “Gjakova”, ai tha se po largohet nga Gjakova me mendimet më të mira dhe shtoi se ky shërbim mund të shërbejë si model edhe për qytetet e tjera të Kosovës.

“Në një sistem të komplikuar të shëndetësisë kosovare mendoj se keni bërë një punë të madhe dhe shumë të mirë. Keni të drejtë t’i thonë të tjerëve që të vijnë në Gjakovë dhe t’ju huazojnë këtë model pune”, u shpreh Philip.

Në kuadër të vizitës së tij, Dr. Philip u takua me radiologë, doktorë, drejtues të Universitetit të Mjekësisë në Prishtinë, nënkryetarin Armend Vokshi, drejtorin për Shëndetësi, Basri Komoni dhe të tjerë të përfshirë në këtë shërbim.

Ai tha se ka edhe disa gjëra për t’u përmirësuar siç është bashkëpunimi më i ngushtë mes Qendrës Rotarine për Mamografi dhe institucioneve të tjera shëndetësore në Prishtinë.

Dr. Philip ka ftuar gratë e Kosovës që të shfrytëzojnë shërbimin e mamografisë në Gjakovë, pasi kanceri i gjirit shërohet në rast se arrin të diagnostifikohet në kohë.

Sipas tij, kanceri i gjirit mund të marrë 9 vite kohë deri në zhvillimin e plotë të tij. Kirurgu anglez shtoi se gratë nuk ndjejnë asnjë dhimbje dhe nuk kanë asnjë shenjë dalluese, prandaj një sëmundje e tillë parandalohet vetëm përmes mamografit./radiogjakova/