Mbyllet pa afat rruga tek Ambulanca në Çarshinë e vjetër
Edhe pse ishte paralajmëruar se do të lirohet brenda tre ditëve, vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve rruga “Vëllëzërit Frashëri” në Çarshinë e vjetër të Gjakovës përballë Ambulancës së qytetit.
Një gjë e tillë po ju shkakton telashe të mëdha drejtuesve, shumica e të cilëve, pasi arrijnë tek Lama e Drithit, detyrohen të kthehen prapa.
Si jemi njoftuar nga Lekë Sina, udhëheqës i sektorit për komunikacion në Drejtorinë komunale të Shërbimeve Publike në Gjakovë, për shkak të vështirëssë në realizimin e punimeve, kompania e cila është duke bërë rivendosjen e kubëzave në këtë segment të bërthamës së Çarshisë së Madhe, ka kërkuar nga komuna që të vazhdojë vendimin për bllokimin e qarkullimit të automjeteve .
Nisur nga interesi i gjithëmbarshëm për një dinamikë më intensive të realizmit të punimeve, Komuna ka miratuar kërkesën në fjalë, kështu që rruga “Vellëzërit Frashëri”, e cila nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare çon në drejtim të qendrës së qytetit, do të jetë e mbyllur për qarkullim.
Aktualisht nuk ka informata se kur e njëjta do të rikthehet në funksion të plotë./radiogjakova/