Ngrohja, Qarkaxhija: Furnizuam shkollat me lëndë djegëse
Problemi i ngrohjes nëpër shkollat e komunës sc Gjakovës duket se është drejt zgjidhjes përfundimtare për këtë sezon.
Ndonëse disa prej shkollave, kryesisht ato të cilat ngrohjen e kanë me naftë, gjatë muajit nëntor ishin ballafquar me të ftohtin, në Drejtorinë e Arsimit thonë se prej 10 ditësh po bëhet shpërndarja e sasisë së planifikuar të naftës.
Drejtoresha në largim e kësaj drejtorie, Diana Qarkaxhija tha se për shkollat që ngrohen me dru, furnizimi është bërë gjatë muajve të verës, ndërsa për ato shkolla që ngrohen me naftë dhe pelet furnizimi ka nisur në muajin nëntor.
Arsye për këtë thuhet të jetë mbërritja me vonesë e sasisë së derivateve të përcaktuara nga niveli komunal.
“Për shkollat që përdorin si lëndë djegëse drutë shpërndarjen e kemi bërë verës, ndërsa për ato me pelet dhe naftë në nëntor. Për disa shkolla që kanë pasur rezerva ka qenë më e lehtë, ndërsa disa të tjera janë ballafaquar me të ftohtin. Megjithatë, çdo gjë është e menaxhueshme. Në dhjetë ditëshin e fundit nëpër shkolla është duke u shpërndarë sasia e planifikuar e naftës, aty ku ka pasur nevojë, dhe tani për tani varet vetëm nga menaxherët e shkollave se si ata e koordinojnë ngrohjen e institucionit. Naftë kanë mjaftueshëm”, tha Qarkaxhija.
Ndryshe, asnjë prej shkollave të komunës së Gjakovës nuk ngrohet me thëngjill, lëndë djegëse kjo e cila nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është cilësuar si një prej faktorëve që ndosin ajrin./radiogjakova/