.
Published On: Thu, Dec 7th, 2017

Rritet numri i bizneseve të regjistruara në Gjakovë

Share This
Tags

Numri i bizneseve të regjistruara në komunën e Gjakovës ka shënuar rritje në tri vitet e fundit. Sipas statistikave të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, për këto tri vite, në komunën e Gjakovës janë regjistruar 1 mijë e 60 biznese të reja derisa për këto vite janë çregjistruar 360 sish.

Më shumë se gjysma e bizneseve të regjistruara në vitet 2015, 2016 dhe deri në nëntor të vitit 2017, janë ato që ofrojnë shërbime. Për këto vite nga ky sektor, sipas Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, janë hapur 587 biznese të reja.

Ndërsa numri më i vogël është shënuar te bizneset prodhuese, ku për këto tri vite janë regjistruar 214 biznese. Në sektorin e tregtisë janë hapur 264 biznese të reja. Numri më i madh i bizneseve janë regjistruar gjatë vitit 2015, ku në regjistrat e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, janë shënuar 393 biznese të reja.

Mirëpo, gjatë këtij viti është shënuar edhe numri më i madh i bizneseve të çregjistruara, që ka arritur në 147. I përafërt ka qenë edhe viti 2016, gjatë të cilit janë regjistruar 390 biznese të reja, derisa janë çregjistruar 136 veprimtari biznesore.

Ndërsa deri në nëntor të këtij viti , sipas statistikave të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik janë regjistruar 282 biznese të reja, ndërsa kanë ndërprerë veprimtarinë 77 të tjera. /radiogjakova/