.
Published On: Sat, Dec 16th, 2017

Festat e fundvitit, nis dekorimi i qytetit

Share This
Tags

Komuna ka nisur me dekorimin e rrugëve kryesore të Gjakovës për festat e fundvitit. Megjithatë, qeverisë së re lokale i është dashur që t’i drejtohet donatorëve për ndihmë, pasi nuk ka pasur mjete për dekorim.

Shefi i kabinetit të kryetarit, Agim Koci, i tha Radio Gjakovës qeveria e kaluar nuk e kishte hapu tenderin për zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit.

“Përkundër vështirësive ligjore për shkak se qeveria e kaluar nuk ka hapur tender për zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit, ne jemi detyruar që të gjejmë zgjidhje në mënyrë që qytetarët të ndjehen më mirë gjatë festave”, u shpreh Koci.

Siç bëhet e ditur, për dekorimin e qytetit po kontribuojnë kompanitë “Gjakova”, “Center Mall”, “Raiffeisen Bank” dhe “Berati”.

Pjesët ku po zbukurohen janë qendra e qytetit, rruga “UÇK”, para Kuvendit Komunal dhe rruga Transite. Koci ka premtuar se vitin e ardhshëm dekorimi do të planifikohet me kohë dhe do të jetë shumë më ndryshe.

Ndryshe, kësaj iniciative pritet t’ju bashkëngjiten edhe pronarët e bizneseve, qendrave tregtare dhe dyqaneve në qytet, në mënyrë që festat e fundvitit të shoqërohen edhe me një ambient të gëzuar e festiv./radiogjakova/