“Radiofest 2017” mbahet të shtunën
Në prag të festave të fundvitit Radio Gjakova të shtunën organizon manifestimin tradicional të radiove “Radiofest 2017”.
Sikurse edhe në edicionet e kaluara, edhe në këtë edicion të 13-të, gara në mes të radiostacioneve është zhvilluar në tri kategori: reportazh, raport radiofonik dhe spote publicitare.
Tema e sivjetme e reportazhit ishte “Trashëgimia Kulturore, thesari ynë”, temë rreth së cilës edhe janë fokusuar gazetarët pjesëmarrës. Kjo temë është përzgjedhur për faktin se trashëgimia kulturore është pasqyrë e vlerave dhe e nivelit kulturor të një populli.
Prandaj, pasuria e madhe e trashëgimisë kulturore e historike nga çdo cep i trojeve shqiptare ka vënë në kërkim gazetarët e radiove shqiptare pjesëmarrëse në këtë festival që të përgatisin radioreportazhe cilësore me llojllojshmëri temash.
Edhe në edicionin e sivjetmë marrin pjesë rreth 30 radio nga të gjitha trevat shqiptare, përfaqësuesit e radiostacioneve nga Tirana, Prishtina, Shkupi, Ulqini, Mitrovica, Shkodra, Prizreni, Vlora, Ferizaj, Elbasani, Peja, Lushnja, Kukësi, Podujeva, Fieri, Istogu, Klina dhe Gjakova nikoqire.
Gjatë një jave në valët e Radio Gjakovës janë transmetuar materialet konkurruese të festivalit, ndërsa juria e veçantë të shtunën prej orës 18:30 në hotelin “Royal Kalaja” në Gjakovë do të ndajë çmimet për fituesit./radiogjakova/