.
Published On: Fri, Jan 19th, 2018

Gjakovës mund t’i shtohet një tjetër ndërmarrje publike

Share This
Tags

Gjakova së shpejti mund të bëhet me një ndërmarrje të re publike komunale. Në kuadër të politikave për urbanizimin të qeverisë aktuale, Komuna ka nisur të shikojë mundësitë për të ngritur një ndërmarrje që në shtete të ndryshme njihet si “Arkitekti i Qytetit”.

Në të vërtetë ky ka qenë një premtim që është përmendur nga kryetari i tanishëm Ardian Gjini gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet lokale në të cilat doli fitues.

Përpos drejtorisë ekzistuese të Urbanizmit, në përshkrimin që i bëhej “Arkitektit të Qytetit” në programin e Gjinit, thuhej se “do të kishte qëllim gjetjen e zgjidhjeve për problemet ekzistuese dhe të atyre që mund të lindnin në këtë fushë. Po ashtu, do të kujdesej për estetikën dhe shijen që do t’i jepej qytetit dhe fshatit”.

Megjithëse ideja për këtë ndërmarrje është ende në fazë embrionale dhe mund të ketë edhe emër tjetër, kjo është një përvojë e huazuar nga vendet perëndimore, kryesisht nga Britania e Madhe.

Megjithëse në shtete të ndryshme njihen me emra të ndryshëm, “Arkitekti i Qytetit” ka një rol të rëndësishëm në vendet ku ekziston si strukturë, pasi vendos nga gjelbërimi, te arkitektura e ndërtesave e deri në plane rregulluese të zonave të caktuara./radiogjakova/