.
Published On: Fri, Feb 16th, 2018

Nga homazhet tek fishekzjarret, ja detajet e festës së pavarësisë në Gjakovë

Share This
Tags

Për ta shënuar në mënyrë madhështore festën e Pavarësisë se Kosovës, prej të premtes së kaluar ka nisur Java e Pavarësisë që do të kulmojë ditën e shtunë.

Drejtoresha e Kulturës, Saranda Hyseni, tha se kjo javë ka qenë e mbushur me aktivitete që kanë përfshirë të gjitha shtresat e shoqërisë dhe që janë ndjekur me interesim nga qytetarët.

Për të shtunën ka një agjendë të veçantë që nis me nderimin që iu bëhet dëshmorëve dhe martirëve të komunës së Gjakovës, ndërsa vijon mbledhjen solemne të Asamblesë komunale, ndërsa do të koncerte për fëmijë dhe turne në futboll.

“Të shtunën e nisim në ora 10:00 me homazhe në varrezat e dëshmorëve, pastaj në Çabrat dhe në Mejë. Po ashtu, do të ketë homazhe edhe pranë lapidarit ‘Shokët e Lirisë’ në qendër të qytetit”, tha Hyseni.

Paraditja i është dedikuar fëmijës me koncertin që mbahet në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” me fillim prej ora 12:00.

“Këtu do të kemi edhe një surprizë të vogël me dy djemtë që kanë lindur më 17 shkurt 2008 e që festojnë, ashtu si edhe Kosova, ditëlindjen e dhjetë”, vijoi Hyseni.

Prej orës 13:00 do të nderohen aktorët ndër vite të Teatrit të Gjakovës me shpalosjen e muralit dedikuar 40-vjetorit të themelimit të teatrit. Ky mural është pranë sallës së madhe të Pallatit të Kulturës që është shtëpia e Teatrit “Hadi Shehu”.

Në ora 14:00 kryetari Ardian Gjini do t’ju drejtohet qytetarëve të komunës së Gjakovës me një fjalim në mbledhjen solemne të Asamblesë.

Drejtoresha Hyseni tha se edhe të shtunën do të ketë aktivitete sportive. “Prej orës 10:00 në kompleksin sportiv ‘Shllaku’ nis turneu i futbollit për grupmosha të reja ii organizuar së bashku me KF Gjakova ku marrin pjesë edhe akademitë nga Tirana e Vlora. Turneu mbahet gjatë të shtunës dhe të dielës”, deklaroi ajo.

Në ora 19:00 në platonë përpara pallatit të kulturës do të përkujtohen të gjithë të pagjeturit e komunës së Gjakovës ku do të baht ndezja e qirinjve.

E gjithë dita shtunë do të përmbyllet me fishekzjarrë dhe koncertin qendror festiv që do të mbahet përpara hapësirës së ish-kafiterisë “Scorpion” në qendër.

Drejtoresha Hyseni tha se ky koncert është konceptuar ndryshe në mënyrë që edhe këtu të gjithë të kenë mundësinë të argëtohen. Ajo njoftoi se do të ketë këngëtarë të muzikës popullorë dhe DJ të cilët beson se do të krijojnë një atmosferë të mirë.

“Nga muzika popullore kemi zgjedhur Jeton Cërmjanin, Edi Ermenin dhe Kati Zhubi. Pas tyre do të ketë fishekzjarre. Më pas do t’i lihet radha DJ-ve e që janë DJ Artili, Altin Boshnjaku dhe DJ Shendi. Mendoj se në këtë koncert do ta gjejnë veten çdo grupmoshë”, vijoi Hyseni.

Drejtoria për Kulturë ka njoftuar se në të gjitha aktivitetet që janë planifikuar të organizohen të shtunën do të marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Ardian Gjini./radiogjakova/