8 Marsi, Alternativa feston me gratë me aftësi të kufizuara dhe viktima të dhunës
Grupi i grave të Alternativës në Gjakovë, të enjten zhvilluan disa aktivitete për dner të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Fillimisht, ato vizituan Qendrën e Personave me Aftësi të Kufizuara “Handikos”, ku është zhvilluar një takim me gratë e kësaj qendre.
Me këtë rast, asambleistet dhe aktivistët e Alternatives, nga afër kanë uruar gratë e kësaj shoqate duke i siguruar ato që do të vazhdojnë të njëjtin angazhim për përmirësimin e pozitës së gruas në të gjitha nivelet.
“Është nder dhe kënaqësi që të festojmë bashkë dhe të barabarta pavarësisht pozitave tona. Gjithashtu jemi shumë të lumtura që ky 8 Mars është festa e fundit që ju dhe të gjitha antarët e ‘Handikos’ e shënoni në objektin e vjetër, pasi që së shpejti filloni aktivitetin në objektin e ri, donacion ky i siguruar nga një kryetare gjatë qeverisjes së kaluar në Gjakovë”, u shpreh shefja e grupit të asambleistëve të Alternativës, Diana Qarkaxhija.
Gjithashtu, me lule dhe ngrohtësi, grupi i grave të Alternativës kanë vizituar edhe disa nga viktimat e dhunës në familje të cilat aktualisht jetojnë në Shtëpinë e Sigurtë.
Me këtë rast, edhe njëherë i është bërë thirrje Komunës së Gjakovës, që mos të vazhdojë të privojë nga e drejta e banimit social pesë raste gra kryefamiljare, viktima të dhunës në familje të cilat kanë fituar të drejtën e banimit, si dhe 8 raste të tjera gra kryefamiljare me persona me aftësi të kufizuara.