I jepet lamtumira Art Kurtit
Miq, familjarë dhe zyrtarë të lartë lokalë, pasditen e së mërkurës i kanë dhënë lamtumirën aktorit Arti Kurti i cili do të pushojë përgjithmonë në varrezat e Tyrbes së Sheh Fetahut.
Vetëm 22-vjeç, këshilltari për Kulturë pranë Kabinetit të Kryetarit të Komunës, u gjet pa shenja jete mëngjesin e së martës me një plagë me armë zjarri në kokë brenda një makine në fshatin Goden.
22-vjeçari u përcoll për në banesën e fundit pas akademisë përkujtimore dhe homazheve në hollin e pallatit të kulturës.
Në fjalën e tij në akademinë përkujtuese, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se kishte diçka të jashtëzakonshme në karakterin e 22-vjeçarit, për të cilin tha se do t’ju mungojë shumë, porse do të ruajnë kujtimet më të mira për të.
“Të bëhesh i dashur për të gjithë vetëm pas pak muaj punë do të thotë se ke qenë një person me një karakter të jashtëzakonshëm. Do të përjetojmë të tjera të arritura dhe nuk e dimë çfarë do të na sjellë jeta, por diçka e di me siguri se unë bashkë me ju nuk do ta harrojmë asnjëherë Artin. Ai do të vazhdojë të jetë inspirim për shumë prej nesh, për të gjithë ata që e kanë njohur por edhe ata që kanë njohur pak më vonë se që është dashur”, u shpreh Gjini.
Drejtori i Teatrit të Qytetit “Hadi Shehu” dhe aktori Edi Kastrati që ishte mik i të ndjerit e që ishin të angazhuar së bashku në serialin “O sa mirë”, tregoi për ëndrrën e lënë përgjysmë të Artit e që ishte regjistrimi në Akademinë e Arteve në degën e aktrimit.
“Ambiciet tona të përbashkëta nuk ishin që unë të flas këtu për Artin, mirëpo ishin që në afatin e ardhshëm të qershorit Arti të bëhej pjesë e Fakultetit të Arteve, dega e aktrimit dhe të bëhej një aktor ashtu siç e kishte fal Zoti”, tha Kastrati.
Në akademinë përkujtuese foli edhe kolegia e të ndjerit në Kuvendin Komunal, Leonora Lyta, që tha se Arti si aktor i mirë arriti të fshihte gjithë atë çfarë po e mundonte.
Të pranishmit, i falënderoi motra e të ndjerit, Mirjeta Kurti, që rrëfeu edhe për lidhjen e fortë që kishte me Artin.
“Çdo gjë që e kemi bërë bashkë e kemi bërë për të gëzuar nënën, babin dhe vëllezërit. Mua më ka vdekur krahu im i djathtë. Mua më vjen keq që nuk paskam mundur të bëjë më shumë për gjërat që e kanë munduar”, tha Kurti.
Pas akademisë përkujtimore, qytetarë të shumtë nderuan të ndjerin me homazhe që zgjatën për mbi 2 orë e gjysmë./radiogjakova/