AAK akuza Kusari-Lilës për mjekësinë familjare
Gjakovë- Dega e AAK-së në Gjakovë përmes një kumtese për media kanë drejtuar akuza ndaj kryetares Kusari-Lila dhe stafit të saj për mos realizim premtimesh.
“Në Gjakovë tupani propagandues nuk ndal së rrahuri nga kryetarja dhe klani i saj tashmë i sistemuar kudo në Kuvendin Komunal, ku tash e sa kohë elaborojnë politikat, planet dhe objektivat e tyre të dikurshme vetëm nëpër objektin e Kuvendit e assesi nuk po gjejnë zbatim në letër, e ku duket që nga fushata ato premtime kanë mbet vetëm në imagjinatën dhe gojën e tyre, e që deri më tani asnjë premtim madje as më i vogli nuk u jetësua dhe nuk u vu në shërbim të qytetarit”, thuhet në deklaratë.
Sipas AAK-së, një dëshmi e gjithë kësaj është edhe mjekësia familjare e cila, sipas tyre, po rrënohet dhe po degradohet nga njerëz qëllim keq, që aspak nuk brengosen për këtë gjendjen alarmuese që po mbretëron në Gjakovë, duke krijuar jo stabilitet për qytetarin dhe xhepin e tyre gjysmë të thatë, ku edhe këto para që i kanë kursyer për nevoja bazë, po i shpenzojnë nëpër laboratore private.
“Dështimi i radhës i kryetares është edhe furnizimi me lëndë djegëse të ambulancave, e ku si pasojë e dështimit shumë pika të mjekësisë familjare si në fshatrat: Gërgoc, Kralan, Jabllanicë, Korenicë, Guskë, Babaj Bokës, Molliq, Ponoshec, Dol, Doblibare, Bishtazhin, Lipovec dhe Dujakë janë tërësisht jashtë funksionit dhe deri më asnjë hap i vetëm nuk po merret në këtë drejtim, e ku faturat e gjithë kësaj rrëmuje i paguan vetëm qytetari i Gjakovës”, mbyllet kjo deklaratë.