.
Published On: Thu, Nov 27th, 2014

AAK e Komuna përplasen për Vëllaznimin

Share This
Tags

vellaznimi-hajvaliaZyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Gjakovë kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë që po mbretëron në klubin e futbollit Vëllaznimi. Kushtrim Brahimaj nga ky subjekt politik ka thënë se ka tre muaj që klubit të futbollit Vëllaznimi nuk u janë paguar pagat, përderisa shumë lojtarë ditët në vazhdim pritet që të largohen nga klubi.

Se gjendja në Vëllaznim, sipas tij, është më e rënda që nga ekzistenca e këtij klubi, tregon edhe fakti që kapiteni i Vëllaznimit e bën gjumin në zhveshtoren e stadiumit, gjë që sipas Brahimajt nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Sipas Brahimajt, përgjegjësia direkte e kësaj gjendje të mjerë ekonomike dhe sportive në Komunën e Gjakovës bie mbi kryetaren aktuale të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila.

Por, të gjitha këto pretendime janë mohuar nga zyrtarët e komunës. Ali Tafarshiku, këshilltar i kryetares Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se klubi menaxhohet në partneritet publiko–privat dhe në këtë drejtim komuna i ka kryer të gjitha obligimet e veta ndërsa tani janë afaristët që e kanë marrë përsipër ta ndihmojnë klubin dhe ata pritet ta japin pjesën tjetër të mjeteve. Sipas Tafarshikut edhe këto probleme do të evitohen shumë shpejtë dhe klubi i Vëllaznimit do të ketë ditë më të mira./radiogjakova/