AAK: Kryetarja po bën “filma” dhe “spektakle”
Gjakovë- Dega e AAK-së në Gjakovë përmes një komuniate për medie ka reaguar për shkarkimin e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike. Duke ironizuar me kryetaren Kusari-Lila, ata shkruajnë se këto vendime kanë ardhur si pasojë e tekeve dhe qejfeve të saj.
“Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Kusari-Lila nuk po ndalon së shkelur ligjet, deri në marrjen e titullit ‘Kampione e shkeljes së ligjeve’. Ajo ka vendosur që ta fusë në asamblenë komunale si pikë të rendit të ditës dhe të merret vendim për shkarkimin e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike komunale: ‘Çabrat’i , ‘Ngrohtores së qytetit’ dhe ‘Stacionit të Autobusëve’, ky i fundit i kthyer para një viti si ndërmarrje publike komunale. Këto suspendime dhe shkarkime të shumta po bëhen pa asnjë bazë ligjore por vetëm mbi baza politike dhe mbi një bazë të krijuar nga Kusari-Lila e njohur si ‘baza e tekeve dhe e qejfeve’”, thuhet në deklaratë.
AAK-ja shkon edhe më tej, kur akuzon organin më të lartë të Gjakovës për inskenimet për kërcënimet e drejtorëve, duke nënkuptuar rastin e drejtoreshës së Arsimit, Diana Qarkaxhija. “Nëse kësaj qeverisje ia shtojmë edhe inskenimet dhe propagandat kinse për kërcënimet që po i marrin drejtorët e drejtorive përkatëse nga persona të pa njohur, ne si të tilla i dënojmë ashpër, nëse me të vërtetë kanë ndodhur. Mirëpo mënyra se si thuhet se janë bërë këto kërcënime, jo vetëm që nuk i besojmë ne por, as ata që pretendojnë se ka ndodhur këto kërcënime e kanë vështirë ta besojnë një shpjegim të tillë”, shkruhet më tej në komunikatë.
AAK-ja në paragrafin e fundit të komunikatës fton Kusari-Lilën që të mos bëjë “filma” dhe “spektakle mediave”, por të mbajë premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale./radiogjakova/










