AAK prezanton Ardian Gjinin për kryetar të Gjakovës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka prezantuar Ardian Gjinin si kandidat për kryetar të komunës së Gjakovës.
Në ceremoninë e prezantimit në selinë e AAK-së në Prishtinë, kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, i dorëzoi nomiminin dhe i uroi suksese Gjinit.
“Përpos aftësive profesionale, Ardiani ka edhe shkollimin dhe dashurinë për Gjakovën e qytetarët e saj. Prandaj kam nderin që t’ia dorëzoj nominimin”, u shpreh Haradinaj.
Në fjalën e tij të shkurtër, Ardian Gjini tha se i hynë garës për të bashkuar komunën dhe për ta rikthyer Gjakovën në vendin që i takon.
“Kushti i parë për të pasur sukses në një vend është t’i bashkojmë njerëzit dhe jo t’i përçajmë. Prandaj do t’i bëjmë bashkë të gjithë banorët e komunës së Gjakovës. Po ashtu, Gjakova ka qenë dhe do ta bëjmë sërish motor të zhvillimit në Kosovë”, tha Gjini.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin figurat kryesore të degës së AAK-së në Gjakovë si dhe i sapo aderuari në këtë parti, ish-kryetari i degës së AKR-së, Luan Shllaku./radiogjakova/