.
Published On: Mon, Sep 18th, 2017

Afati i dytë për pranimin e studentëve në UGJ, aplikojnë rreth 530 kandidatë

Share This
Tags

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” mbylli konkursin për pranimin e studentëve në afatin e dytë për vitin akademik 2017-2018. Për 145 vende të lira, pa përfshirë kuotat, kanë aplikuar rreth 530 kandidatë.

Prorektorja e këtij universiteti, profesoresha Mimoza Dushi, tha se po bëhen përgatitjet e fundit për provimin pranues që do të mbahet të martën. “Jemi krejt në fund të përgatitjeve, kryesisht me materialet që do të shpërndahen si dhe me ndarjen në klasa të kandidatëve”, u shpreh ajo.

Dushi shtoi se konkursi është hapur vetëm në 4 programe, ndërsa konkurrenca më e madhe, siç ndodhë në çdo afat, është në drejtimin e Infermierisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Sa i përket përzgjedhjes së studentëve fitues, profesoresha Dushi shpjegoi edhe formulën që është ndryshe për kandidatët që i janë nënshtruar provimit të maturës dhe për ata që e kanë kryer shkollën e mesme e nuk kanë pasur provim të maturës.

“Për ata që i janë nënshtruar provimit të maturës, 100 pikëshi do të ndahet: Suksesi në shkollë të mesme deri në 30 pikë, suksesi në maturë deri në 30 pikë si dhe suksesi në provimin pranues deri në 40 pikë. Për kandidatët që nuk kanë pasur provim mature, suksesi në shkollën e mesme deri në 30 pikë si dhe suksesi ne provimin pranues deri në 70 pikë”, u shpreh prorektorja Dushi.

Ajo njoftoi dhe me datat kur publikohen rezultatet dhe mundësitë e ankesave eventuale. “Rezultatet preliminare do të publikohen me datë 20 shtator, pastaj ka hapësirë kohore deri në 48 orë për ankesa, ndërsa të shtunën dalin rezultatet përfundimtare”, vijoi ajo.

Në Universitetin e Gjakovës janë gjithashtu edhe 73 vende të lira shtesë si kuota të rezervuara për fëmijë të dëshmorëve, minoritete dhe studentë nga trojet e tjera shqiptare. Por, prorektorja Dushi tha se jo me patjetër duhet të plotësohen këto vende, siç është keqkuptuar, pasi pranohen vetëm kandidatët që i plotësojnë kriteret./radiogjakova/