Afati i dytë, Universiteti i Gjakovës hap konkursin për studimet bachelor
Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” hapi të mërkurën konkursin për pranimin e studentëve në afatin e dytë në studimet bachelor për vitin akademik 2017-2018.
Në këtë universitet, në afatin e shtatorit, do të pranohen gjithsej 218 studentë në të gjitha fakultetet, përfshirë edhe kuotat e rezervuara për fëmijë të dëshmorëve, minoritete dhe studentë nga trojet e tjera shqiptare.
Numri më i lartë i vendeve të lira është në Fakultetin e Filologjisë, në programin Gjuhë Shqipe dhe Letërsi ku mund të pranohen edhe 110 studentë të rinj.
Në Fakultetin e Edukimit, në programin Fillor janë të lira edhe 16 vende, ndërsa në atë Parashkollor edhe 42 vende.
Në Fakultetin e Mjekësisë, në programin e Infermierisë janë të lira vetëm 7 vende, ndërsa në drejtimin Mami mund të pranohen edhe 43 studentë.
Të gjithë studentët e interesuar për t’u regjistruar në Universitetin “Fehmi Agani” fillimisht duhet të aplikojnë online në faqen zyrtare të universitetit, ndërsa më pas dokumentet duhet t’i dorëzojnë në ambientet përkatëse të fakulteteve ku kanë aplikuar.
Konkursi do të mbetet i hapur deri më 15 shtator, ndërsa pranimi i dokumenteve bëhet çdo ditë gjatë kësaj periudhe deri në ora 16:00, përjashtim bënë dita e diel.
Të gjithë studentët konkurues do t’ju nënshtrohen provimit pranues më 19 shtator./radiogjakova/