.
Published On: Tue, Jul 3rd, 2018

Ahmeti flet për çmimin dhe projektet e KRU “Gjakova”

Share This
Tags

Ditë më parë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” për të gjashtin vit me radhë u shpërblye me çmimin “Kompania lider në Kosovë” në një ceremoni të organizuar nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Ismet Ahmeti, përmes një konference për media falënderoi të gjithë punonjësit për këtë arritje si dhe konsumatorët për bashkëpunimin.

“Ky na është bërë një shpërblim i zakonshëm falë të gjithë punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të cilët po japin më të mirën e tyre për të shërbyer konsumatorët tanë në Gjakovë, Rahovec e Prizren. Më duhet të falënderoj edhe vet konsumatorët për bashkëpunimin”, tha Ahmeti.

Ai foli edhe për projektet të cilat KRU “Gjakova” është duke i implementuar. Një i tillë është Impianti i Ujërave të Zeza që nisi javë më parë.

“Është një donacion nga shteti zviceran që ka dhuruar 8 milionë euro, shteti gjerman që ka dhuruar 6 milionë dhe Komuna e Gjakovës 3 milionë euro. Muajin që e lamë pas e kemi bërë edhe inaugurimin e impiantit dhe kolektorëve. Punimet janë parashikuar të përfundojnë brenda dy vitesh. Bëhet fjalë për një investim të madh të cilin Gjakova e fiton falë insistimit të kompanisë sonë”, vijoi Ahmeti.

Brenda një kohë të shkurtër KRU “Gjakova” pret që të vihet në përdorim edhe faza e dytë e projektit të përpunimit të ujit, i cili si plan kishte ekzistuar prej kohësh, por vetëm para dy vitesh nisi së impelemntuari.

“Plani ka qenë prej viteve ’90-ta por fatkeqësisht nuk është realizuar atëherë. Para dy vitesh ka nisur puna dhe mendojmë se në shtator do të jetë gati. Do të dyfishojmë kapacitetin nga 35 mijë në 70 mijë konsumatorë pasi do të rriten kapacitet prodhuese me 500 litra në sekondë. Ky është një tjetër projekt shumë i madh pasi fabrika është model për shumë vende. Por, edhe faza e parë e këtij projekti, pra fabrika ekzistuese është në kushte shumë të mira pasi janë ndërruar pajisjes”, tha Ahmeti.

Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për rajonin e Rekës së Keqe është një tjetër investim që po pritet nga banorët e 30 fshatrave të kësaj zone të cilët nuk kanë ujë të pijes prej 20 vitesh. Ahmeti u shpreh i bindur se në shtator të vitit të ardhshëm këta banore do të jenë të lidhur në rrjetin ujësjellësit.

“Këto fshatra nuk kanë qenë në kompetencën tonë pasi ndoshta një projekt i tillë do të kishte përfunduar me herët, por tani me marrëveshje të veçantë me Ministrinë e Ambientit janë në përgjegjësinë tonë. Ju siguroj se në shtator të vitit të ardhshëm Reka e Keqe do të jetë e lidhur me rrjetin e ujësjellësit. Me inxhinierët tanë jemi gjatë gjithë kohës në terren dhe janë bërë të gjitha matjet e nevojshme dhe jam i bindur që prej vitit të ardhshëm ky problem nuk do të ekzistojë më”, vijoi kryeshefi ekzekutiv i KRU “Gjakova”.

Përpos këtyre projekteve, Ahmeti tha se synim i kompanisë mbetet ndërrimi i tubave të azbestit në rrjetin e ujësjellësit të saj dhe pajisja e konsumatorëve me orëmatës digjitalë. Sipas tij, ndërrimi i tubave do të ndihmojë në eliminimin e humbjeve të ujit.

“Këto janë dy projekte shumë të kushtueshme të cilat nuk kemi kapacitet t’i investojmë vetë, por po punojmë që përmes subvencioneve të arrijmë t’i realizojme. Momentalisht sa i përket humbjeve jemi kompania me më së paku humbje, që është në shkallën e 43%, por nuk jemi të kënaqur. Ndërrimi i tubave dhe orëmatësit digjitalë do të na ndihmonin shumë në këtë aspekt. Kemi përkrahje të madhe nga shteti zviceran dhe gjerman në këtë çështje dhe shpresojmë që në të ardhmen të afërt t’i realizojmë edhe këto dy projekte”, u shpreh Ahmeti./radiogjakova/