AKR hap fushatën në Gjakovë
Gjakovë- Në hapje të fushatës elektorale, kryetarja e komunës së Gjakovës dhe kryetare e degës së AKR-së në Gjakovë, Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar të mërkurën nga elektorati që me 8 qershor të votojë për AKR-në sepse, sipas saj, njerëzit e këtij subjekti tashmë janë dëshmuar për sinqeritet, efikasitet dhe punë konkrete e me duar të pastërta.
Duke folur para qytetarëve të Gjakovës, Kusari – Lila ka përmendur si shembull suksesi postet ministrore të udhëhequra nga njerëzit e AKR-së dhe të arriturat e këtyre njerëzve gjatë qeverisjes së tyre. Ajo ka përmendur rankimin e Kosovës në maje të listave të të bërit biznes, ndërsa si suksese të AKR-së nuk ka harruar t’i cilësojë edhe krijimin e zonave të lira ekonomike në Gjakovë dhe Mitrovicë.
Por, më shumë se sukseset në postet ministrore, Kusari – Lila ka përmendur sukseset që sipas saj janë arritur në Gjakovë e Mitrovicë, gjatë këtyre 5 muajve sa AKR-ja udhëheqë në këto dy komuna. Sipas saj, në Gjakovë e Mitrovicë gjatë këtyre muajve është qeverisur me nder, transparencë e duar të pastërta.
Në këtë kontest, Kusari – Lila ka drejtuar akuza edhe tek ish – qeverisja në Gjakovë, për të cilën ka thënë se nuk mund të kërkojë të nisin një drejtim të ri, me njerëz të vjetër, të zhytur në krim e në korrupsion.










