.
Published On: Thu, Jan 11th, 2018

Akuzat e Alternativës, reagon Komuna: Të pavërteta

Share This
Tags

Pas akuzave nga dega e Alternativës, ka reaguar edhe Komuna e Gjakovës e cila ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet që u thanë në konferencën e partisë opozitare.

Sipas tyre, asnjë këshilltar nuk është emëruar në zyrat e drejtorëve, madje thonë se funksion i tillë në komunë nuk ekziston. Sa i përket Qendrës së Informimit, në reagimin e Komunës thuhet se më 31 dhjetor 2017 ka përfunduar kontrata, ndërsa UNDP nuk ka paraparë vazhdimin e projektit.

Për lejet e ndërtimit, thuhet se “prej datës 18 dhjetor 2017 kur kryetari Gjini e ka pranuar detyrën, nuk janë dhënë leje dhe as që ka nisur ndonjë ndërtim pa leje. Aq më tepër leja për ndërtim ‘prapa Hotelit (Pashtriku)’ është dhënë në shtator të vitit 2017. Edhe tejkalimet e ndërtimeve, pa asnjë përjashtim, kanë ndodhur para dhjetorit 2017”, thuhet në reagim ku bashkangjiten edhe dokumente përcjellëse që vërtetojnë reagimin e Komunës.

Po ashtu, njoftohet se kryetari i komunës së Gjakovës nuk ka marrë asnjë vendim të asnjë lloji për anulimin e cilido rast të banimit social.

“Procesi i alokimit të banesave në pronësi të komunës për raste sociale, ka nisur në fillim të vitit të kaluar dhe nuk ka përfunduar”, vijon reagimi.

Sa i përket çështjes së Musë Gjergjajt, zyrtarit të QKMF-së, thuhet se “e vërteta është se shkelje e ligjit ka qenë mos kthimi i tij në vendin e punës, e jo kthimi. Sipas Komunës, ka pasur një vendim të të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës që e ka obliguar komunën që personin në fjalë ta kthej në vendin e tij të punës”.

Sa i përket stadiumit të qytetit, në reagim thuhet se “Komuna e Gjakovës, deri më tani, nuk ka kurrfarë projekti për stadiumin e qytetit. Ai nuk është projektuar asnjëherë. Administrata aktuale është zotuar se në afatin sa më të shpejtë të mundshëm do ta hartojë projektin dhe të njëjtin do t’ia paraqes Qeverisë së Kosovës për financim”.

Në fund të reagimit, thuhet se kryetari i komunës, gjatë javës së 15 janarit do t’iu drejtohet qytetarëve për gjendjen në komunën e Gjakovës në të gjitha aspektet./radiogjakova/