Aplikimet në “Fehmi Agani”, konkurrencë e madhe në Infermieri dhe Parafillor
Të hënën Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” mbylli konkursin për pranimin e studentëve në afatin e parë për vitin akademik 2017-2018.
Për një javë sa qëndroi i hapur ky konkurs, për regjistrim në fakultetet e këtij universiteti kanë aplikuar mbi 840 veta.
Prorektorja e këtij universiteti, profesoresha Mimoza Dushi, tha për Radio Gjakovën se konkurrenca më e madhe është në Fakultetin e Mjekësisë, përkatësisht në drejtimin e Infermierisë ku për 1 vend konkurrojnë 5 veta si dhe në Fakultetin e Edukimit, në programin Parafillor ku për 1 vend konkurrojnë 3 persona.
Dushi njoftoi se Universiteti “Fehmi Agani” është në fazën e fundit të përgatitjeve për mbajtjen e provimeve pranuese. Ajo tha se provimet do të mbahen në ambientet e ish-Shkollës Normale më 20 korrik.
Varësisht prej fakultetit ndryshojnë vetëm oraret e mbajtjes. Kështu, provimi pranues për Fakultetin e Edukimit do të mbahet në ora 09:00, ndërsa për Fakultetin e Mjekësisë dhe Filologjik me fillim prej orës 11:00.
Në këtë universitet do të pranohen gjithsej 524 studentë në të gjitha fakultetet, përfshirë edhe kuotat e rezervuara për fëmijë të dëshmorëve, minoritete dhe studentë nga trojet e tjera shqiptare./radiogjakova/