.
Published On: Tue, Jun 20th, 2017

Arsim, konferencë me profesorë amerikanë

Share This
Tags

Në Gjakovë po mbahet dita e dytë e konferencës “Udhëheqja dhe zhvillimi strategjik i arsimit të lartë”, në të cilën po marrin pjesë profesorë e dekanë të të gjitha fakulteteve publike të Kosovës, si dhe ata nga Universiteti “James Modison” nga SHBA.

Në hapje të kësaj konference, rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Shaban Buza tha se Universiteti i Gjakovës është i privilegjuar që ju besua organizimi i ditës së dytë të kësaj konference.

Ndërsa Drita Kadriu nga Ministria e Arsimit të Kosovës, foli për rëndësinë e arsimit të lartë, ku ndër të tjera tha se arsimi i lartë është një përgjegjësi esenciale publike me rëndësi të veçantë në zhvillimin e shoqërisë.

Rektori i Universitetit “James Modison”, Jonathan R. Alger ka vlerësuar vizionin e Kosovës për të ardhmen në arsimimin e lartë, ndërsa tha se është shumë i lumtur për të vazhduar bashkëpunimin.

Ai shtoi se Kosova ka mundësi të shkëlqyeshme që të fokusohet në shfrytëzimin e potencialit që ka, duke qenë se ka një popullsi të re. Alger gjithashtu tha se është çështje tejet e rëndësishme që t’u mundësohet të gjithë individëve të shfrytëzojnë potencialin e plotë që kanë.

Kjo konferencë do të adresoj çështjet e zhvillimit strategjik të institucioneve të arsimit të lartë me mision unik që i përgjigjen nevojave të shoqërisë, fuqizimin e udhëheqësve të fakulteteve për të menaxhuar në mënyrë autonome programet e tyre akademike, si dhe përgatitjen e studenteve për të qenë qytetarë efektivë dhe udhëheqës në një shoqëri demokratike.

Këto tema do të diskutohen në tri panele të ndara, ku me përvojat e tyre do të prezantojnë profesorë të universitetit “James Medison”.

Kjo konferencë po mbahet falë një bashkëpunimi të Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Universitetin “James Medison” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /radiogjakova/