.
Published On: Thu, Nov 27th, 2014

Asambleja, diskutohet për financat dhe borxhet

Share This
Tags

asambleja-komunaNë Kuvendin e Komunës së Gjakovës është mbajtur mbledhja e njëmbëdhjetë për këtë vit e Asamblesë Komunale. Kuvendarët gjakovarë fillimisht  kanë shqyrtuar informatën financiare të komunës për periudhën Janar-Shtator 2014.

Si ka theksuar me këtë rast Teki Shala, drejtor i Drejtorisë komunale për buxhet e Financa, buxheti i aprovuar në asamblenë komunale në vlerë prej rreth 18 milion e 630 mijë euro, ka pësuar ndryshime gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti për të hyrat e bartura nga viti paraprak në shumë prej rreth 300 mijë euro, si dhe të hyrat nga donacionet dhe participimet në lartësi prej rreth 162 mijë euro, të cilat nuk kanë qenë të planifikuara me buxhetin fillestar.

Kjo ka bërë që buxheti i përgjithshëm periodik janar-shtator të kap shumën prej mbi 19 milionë euro. Kur është fjala tek mbështetja e drejtpërdrejtë nga donatorët, drejtori Shala ka thënë se shuma prej 20 mijë euro për terenin sportiv në fshatin Hereq ka qenë donacion nga IOM-i, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë ka investuar rreth 59 mijë euro në renovimin e Shkollës “Selman Riza”.

Pos kësaj Fondacioni “Behxhet Pacolli” ka dhënë një donacion prej 50 mijë euro për digjitalizim, ndërkohë që 30 mijë euro është donacioni i Karitasit Zviceran për furnizimin e institucioneve parashkollore me banka dhe karriga. Donacioni më i madh gjatë kësaj periudhe në vlerë prej 154 mijë euro, ka qenë i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, për ndërtimin e Qerdhës së Fëmijëve “Ganimete Tërbeshi”.

Kur bëhet fjalë tek shpenzimet periodike buxhetore, Shala ka njoftuar se nga gjithsejtë 15 milionë e 83 mijë euro të pranuara, janë shpenzuar afro 14 milion e 500 mijë euro apo 91.26 përqind. Ndryshe, në këte pikë të rendit të ditë, pjesë e pa tejkalueshme ishte çështja e borxheve të trashëguara, për të cilat drejtori Shala ka thënë se janë rreth 5 milion e 600 mijë euro, ndërkohë që ky konstatim ka ngjallë diskutime nga përfaqësues të opozitës.

Në takimin e asamblesë komunale, është shqyrtuar dhe aprovuar një kërkesë për shndërrimin e tokës bujqësore në tokë jobujqësore në Novosellë, e ndërlidhur me këtë është marrë vendimi për  formimin e  një Komisioni i cili do të merret me trajtimin e kërkesave të kësaj natyre.

Kuvendarët gjakovar në mbledhjen e asamblesë komunale kanë shqyrtuar edhe kërkesën e Kuvendit Françeskan në Gjakovë për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale në sipërfaqe prej 97 ari, pastaj kërkesën për ndarjen e një parcele për kultivimin e këpurdhave, ndërkohë që është bërë edhe shqyrtimi i listës së propozimeve për emërtimin e rrugëve të komunës së Gjakovës./radiogjakova/