Asamblesitët diskutojnë raportin financiar vjetor të komunës
U mbajt mbledhja e 6 me radhë e Kuvendit të Komunës së Gjakovës. Asamblistët gjakovarë fillimisht shqyrtuan raportin e auditimit për raportin financiar vjetor të Komunës së Gjakovës për vitin 2016.
Nisur nga fakti se ky raport me kohë ishte shpërndarë tek kuvendarët, trajtimi i të njëjtit ka nisur me diskutimet e të pranishmëve.
Kështu, Mark Komani, nga PSHDK-ja ka thënë se ky raport flet për një regres në punën e organeve komunale.
Edhe Dervish Tahiri, nga AAK, e ka vlerësuar negativisht raportin e auditimit për raportin financiar vjetor te komunës së Gjakovës.
Në anën tjetër, Hasan Krasniqi nga Alternativa, ka thënë se të gjeturat e auditorit, krahasuar me të gjeturat e qeverive të kaluara, janë vërejtje sipërfaqësore pa u prekur buxheti.
Duke ju përgjigjur vërejtjeve të parashtruara, drejtori i Drejtorisë komunale për Buxhet dhe Financa, Teki Shala, ka thënë se të gjeturat e auditorit, flasin për të arritura të mëdha në menaxhimin e komunës së Gjakovës.
Në vazhdim të mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Gjakovës, është shqyrtuar dhe raporti vjetor për Ndërmarrjen Publike Komunale “Çabrati”, si dhe për Ndërmarrje Publike Komunale “Stacioni i Autobusëve” në Gjakovë.
Pjesë e mbledhjes së Asamblesë komunale në Gjakovë, ka qenë edhe Draft-Plani Zhvillimor i Arsimit për Komunën e Gjakovës 2017-2021, pastaj kërkesa për shpalljen e interesit publik për parcelën kadastrale ndërtimore me numër 5797-0, si dhe formimi i panelit përzgjedhës për zhvillimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit Konsultativ për Mbrojtje të Mjedisit./radiogjakova/