“Asim Vokshi” me pamje të re
Gjakovë- Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, ka paralajmëruar se në një afat të shkurtër kohor, Pallati i Kulturës “Asim Vokshi” do ta ketë një pamje krejt tjetër, pasi po planifikohet që të ketë një ridizajnim dhe një riorganizim të objektit.
Kusari – Lila ka njoftuar se në bashkëpunim me drejtorinë e Kulturës, është duke u përgatitur një projekt për ndëryrje në këtë objekt, projekt i cili mund të përkrahet nga donatorë të jashtëm. “Po punojmë që në konferencen e donatorëve për Gjakovën që do të mbahet në muajin mars, ta prezentojmë edhe një projekt për renovimin e Pallatit të Kulturës ‘Asim Vokshi”, ka thënë shkurt Kusari – Lila, teksa ka shtuar se për momentin nuk mund të japë më shumë detaje për këtë projekt.
Megjithatë, mësohet se synimi kryesor i kryetares Kusari – Lila është që ky objekt të kthehet në gjendjen e mëparshme, konkretisht në destinimin e mëparshëm, për tu përdorur eksluzivisht për aktivitetet kulturore, për të cilat edhe është ndërtuar. Ajo që tashmë duket e sigurtë, është fakti se nga objekti do të largohen zyrat administrative, të drejtorisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës./radiogjakova/










