Banoret në kompleksin e banesave në rrugën “Beqir Kastrati”, së shpejti me ambiente të gjelbëruar
Rreth 300 familje të kompleksit të banesave në rrugën “Beqir Kastrati”, pritet që brenda disa ditësh të bëhen me një ambient të gjelbëruar dhe relaksues, kjo falë një projekti që komuna e Gjakovës kohë më parë e ka nisur në këtë zonë në qendër të qytetit, e që po përkrahet nga organizata Demos. Në këtë kompleks, që për shumë dekada mbretëronte pluhuri e balta, është paraparë, përveç parkut me hapësira gjelbëruese me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, edhe një fushë sportive – përkatësisht e basketbollit, por edhe parking për automjete. Punimet për kthimin e kësaj zone në park, tashmë kanë marrë një dinamik të shtuar dhe sipas
udhëheqësit të punimeve, njëherit banor në këtë kompleks, Dukagjin Berisha, pritet që ky projekt të përfundoj ashtu siç është paraparë më 1 shtator.
Rregullimi i kësaj hapësire në tërësi do të kushtojë rreth 79 mijë euro, prej të cilave mbi 54 mijë euro do të paguhen nga Organizata DEMOS, ndërsa pjesa tjetër prej mbi 23 mijë euro do të sigurohen nga komuna e Gjakovës. Ky bashkëfinancim po realizohen në kuadër të shumë projekteve e bashkëfinancimeve tjera që komuna e Gjakovës dhe Organizata DEMOS i kanë realizuar deri me tani e gjithashtu planifikojnë të të realizojnë edhe në të ardhmen.