Bie nataliteti në Gjakovë
Trendi i rënies së natalitetit, përkatësisht i lindshmërisë së foshnjave, nga viti në vit, po shprehet edhe në komunën e Gjakovës. Siç bëjnë të ditur në ofiqarin e komunës së Gjakovës, gjatë 7 muajve të parë të këtij viti, në komunën tonë kanë lindur 1 mijë e 23 foshnje. Nga ata, 880 janë regjistruar në mënyrë të rregullt ndërsa 143 të tjerë me regjistrim të mëvonshëm.
Siç thotë Teuta Vokshi, udhëheqëse e sektorit komunal për regjistrimin civil në Gjakovë, nëse lindshmëria në këtë periudhë në komunën e Gjakovës krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, del se ajo ka qenë për rreth 23 për qind më e vogël. Sipas Vokshit, sivjet është shfaqur një dukuri që viteve të kaluara ka qenë rast i rrallë.
Në fakt, pos 1 mijë e 23 foshnjave të lindura në Gjakovë, në këtë periudhë janë regjistruar edhe 333 foshnja që kanë lindur në vende të ndryshme të botës, ku edhe jetojnë aktualisht, por janë regjistruar në vendlindjen e prindërve të tyre. Këtë rënie të natalitetit, ekspertët e arsyetojnë kryesisht me shtimin e varfërisë por edhe migrimin e madh të popullatës./radiogjakova/










