Bordi i Drejtorëve, detajet nga mbledhja e radhës
Gjakovë- Nën kryesimin e kryetares Mimoza Kusari Lila, Bordi i Drejtorëve ka mbajtur mbledhjen e rregullt javore në të cilën janë shqyrtuar disa pika me interes për Komunën dhe qytetarët. Fillimisht është vendosur që për periudhën më të përgjakshme të historisë sonë të bëhet përgatitja e kalendarit të aktiviteteve dhe përkujtimeve për vitin 2014, kalendar i cili do të shërbejë edhe për vitet e pasardhëse.
KOMISIONET E REJA – Nga bordi është vendosur që të formohet komisioni i përbashkët nga Drejtoria për Urbanizëm, Drejtoria për Punë Inspektuese dhe Drejtoria për Buxhet dhe Financa për përpilimin e listës së borxheve të kompanive të cilat shfrytëzojnë hapësirat publike, si billbordat, panot dhe kiosket. Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve ka formuar komisionin nga Drejtoria e Urbanizmit për përcaktimin e kritereve të vendosjes së reklamave, ku nga Kusari-Lila është kërkuar që të përcaktohet formacioni dhe dizajni reklamues, që nënkupton nisjen e vendosjes së standardeve.
BANESAT SOCIALE – Për sa i përket paraqitjes së raportit lidhur me shfrytëzimin e banesave sociale është marrë vendim që të kryhet kontrollimi se kush banon në ato banesa, cilat janë kriteret e dhënies, si dhe në çfarë mënyre shfrytëzohen, për çfarë është krijuar një komision “ad hoc”. Bordi i Drejtorëve ka marrë vendim për mbështetjen e kërkesës së Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim për kryerjen e pagesave nga viti i kaluar.
SUBVENCIONET SHËNDETËSORE – Bordi ka miratuar kërkesën e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për ndarjen e subvencioneve shëndetësore në vlerë prej 40 mijë euro, ku dhe është krijuar një komision për përcaktimin e kritereve për ndarjen e këtyre subvencioneve.
DIGJITALIZIMI I ADMINISTRATËS – Edhe kërkesa e Drejtorisë së Administratës ka marrë miratimin nga Bordi i Drejtorëve për financimin e fillimit të projektit mbi digjitalizimin e administratës komunale, cilësisë së shërbimeve komunale si dhe rritjes së efikasitetit të zyrtarëve komunal.
OBJEKTET E RREZIKSHME – Kërkesa e Drejtorisë së Shërbimeve Publike ka marrë MIRATIMIN e Bordit të Drejtorëve për caktimin e komisionit për demontim të objekteve të vjetra dhe të rrezikshme, si dhe kërkesa tjetër që ka të bëjë me ruajtjen e impiantit të ujërave të zeza në Skivjan, ku është vendosur që të shqyrtohet mundësia që kjo çështje të rregullohet përmes kompanisë së sigurimeve.
PRONAT E KOMUNËS – Edhe kërkesa e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa që kishin të bënin me raportin financiar për dhënien në shfrytëzim të tokës në pronësi të Komunës deri me datë 31.12.2013 është trajtuar nga Bordi i Drejtorëve ku është marrë vendim që zyrtarët komunal të kryejnë verifikimin në terren se si janë ndarë dhe se a shfrytëzohen prona të tilla.
Sa i përket raportit financiar të kësaj drejtorie për objektet afariste që i përkasin pronës komunale të dhëna me qera deri me 31.12.2013, me propozim të kryetares Mimoza Kusari Lila është marrë vendimi i Bordit të Drejtorëve që të caktohet afati i shlyerjes së borxheve sipas ligjeve në fuqi, në të kundërtën do të inicohen procedura gjyqësore.
LAPIDARI- Nga Drejtoria e Administratës është marrur përgjegjësia që me një kërkesë ti adresohet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për përgatitjen e lapidarit “Rruga e lirisë” tek parku i qytetit si dhe për lapidarian në fshatin Goden./radiogjakova/