.
Published On: Mon, Mar 19th, 2018

Borxhi, debate pozitë-opozitë në KPF

Share This
Tags

Komiteti për Politikë e Financa mbajti mbledhjen e saj të rregullt ku miratoi me vota të plota 15 pikat e rendit të ditës të cilat tashmë kalohen në Asamble për shqyrtim të mëtutjeshëm.

Fillimisht u miratua Plani i Punës së Kuvendit për pjesën e mbetur të këtij viti. Mirëpo, përfaqësuesi i LDK-së, Bekim Ermeni kërkoi të paraqitet dhe plani i punës së Qeverisë aktuale dhe të detajohet puna e secilës drejtori.  

“Po kalon ¼ e vitit dhe ne nuk kemi plan te punës. Ne supozohet të mbikëqyrim ekzekutivin, por s’mund ta bëjmë nëse nuk kemi një plan. Mirë investimet kapitale të cilat i dimë pak a shumë, por për subvencione? Duam të dimë planin e secilës drejtori se ku do të shkojnë mjetet. Duam një raport të detajuar”, u shpreh Ermeni.

Kryesuesi i Komitetit, Anton Shala, tha se plani i punës është dashur të aprovohet nga qeverisja e kaluar, mirëpo duke qenë se viti 2017 ka qenë vit zgjedhor nuk ka ndodhë një gjë e tillë. Sipas tij, raporti do të sillet mbledhjen e ardhshme.

“Raporti duhet të aprovohet në mbledhjen e parë, mirëpo meqë kemi qenë në vit zgjedhor ajo nuk ka ndodhë. Ju garantoj se kjo nuk ka penguar në punën e ekzekutivit. Raportin do ta marrin në kohë të gjithë anëtarët dhe do ta shqyrtojmë në mbledhjen e ardhshme”, tha Shala.

Po ashtu, u miratua Plani për transparence i Komunës së Gjakovës për këtë vit, pika që kishte të bënte më themelimin e Komitetit për Shërbime Publike dhe ai për Komisionin e Ankesave për dhënien ne shfrytëzim te pronës komunale. Për përbërjen e këtyre Komisione do të vendoset më vonë.

Komandanti i Stacionit Policor të Gjakovës, Kristë Gjokaj, shpalosi planin e punës për Këshillin Siguri në Bashkësi për vitin 2018, për të cilin tha se ka 15 objektiva.

“Plani fokusohet në sigurinë e përgjithshme, në shkolla dhe në vetëdijesimin dhe parandalimin e veprimeve kriminale siç mund të jetë trafikimi i qenieve njerëzore apo përdorimi i lëndëve narkotike nga të rinjtë. Kemi paraparë shumë aktivitete me shumë institucione apo organizata të ndryshme”, deklaroi Gjokaj.

Dy pikat për të cilat pati mjaft debat ishin ato për shqyrtimin e Raportit final financiar të Komunës së Gjakovës për vitin 2017 dhe Bartja e buxhetit të pashpenzuar nga viti i kaluar në vitin 2018.

Drejtori i Financave, Durim Halilaj tregoi për gjendjen financiare ku u përmend edhe borxhi i trashëguar prej 13 milionë euro. Duke përmendur suficitin, tha se adminstrata e kaluar duhej që me to së paku të pagunte borxhet pasi mjetet e granteve nuk i kthehen më Komunës.

Përfaqësuesja e Alternativës, Diana Qarkaxhija, përsëriti kërkesën që të ketë raport të detajuar për borxhin pasi ajo pretendon se borxhi nuk është aq sa thuhet. “Nuk mund vetëm të thoni se kemi 13 milionë euro borxh, kërkohen faturat, kontrata apo argumente të tjera përcjellëse”, u shpreh ajo.

Ndërsa Bekim Ermeni i LDK kërkoi të sillet raport dhe të listohen arsyet pse ka pasur çdo vit suficit duke aluduar se ajo nuk ka ndodhur për padituri të qeverisjes së kaluar.

“Duhet të ketë edhe raport për suficit për mjetet që thoni se Komuna i ka humbur. Qytetarët thonë se paskan qenë të paditur, por kur të sillni raportin do të kuptoni se mjetet kanë mbetur sepse operatorët nuk mund të paguhen pa kryer punët”, deklaroi Ermeni.

Po ashtu, u kaluan për votim në Asamble edhe kërkesat e KEDS-it për dhënie në shfrytëzim afatgjatë të 67.6 metrave katrorë të pronës komunale për vendosjen e stabilimenteve shpërndarëse në pesë lokacione të ndryshme të komunës.

U dakordua që në kontratën me KEDS të përfshihet klauzola që në rast se shihet e nevojshme, Komuna të ketë të drejtë të rikthejë pronën e saj nga kjo kompani./radiogjakova/